Një 54-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Kurbin, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale.
Policia bëri të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Gjin Nikollaj, banues në Laç, i cili kërkohej nga Interpol Roma për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të dhënë nga autoritetet italiane.
Sipas njoftimit zyrtar, 54-vjeçari është dënuar në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kanosja”.
Arrestimi u realizua pas sigurimit të informacionit për vendndodhjen e tij, ndërsa operacioni u kodua “Operacionalja 95”.
Policia e Shtetit njoftoi se, në bashkëpunim me Interpolin, po vijojnë procedurat për ekstradimin e Nikollajt drejt Italisë, ku ai do të vuajë dënimin e caktuar nga autoritetet gjyqësore të vendit fqinj.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.
