Tabaku kundër kullës pranë Pallatit të Kongreseve: Kush po vendos pa transparencë për pronën publike?

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj projektit për ndërtimin e një kulle pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë, duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës në procesin e vendimmarrjes.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se kundërshtimi i saj nuk lidhet me nostalgjinë për ndërtesat e periudhës komuniste, por me mbrojtjen e pronës dhe pasurisë publike.

“Asnjë nostalgji për reliket e vjetra të komunizmit. Vetëm respekt për pronën publike dhe pasurinë publike”, shprehet deputetja demokrate.

Tabaku kritikoi Korporatën e Investimeve, duke pretenduar se ky institucion po vepron mbi pronat publike pa procese të qarta dhe transparente, ndërsa shtroi pyetjen se kush po merr vendime për pasuritë e përbashkëta të qytetarëve.

Sipas saj, situata të ngjashme po shfaqen edhe në projekte të tjera të rëndësishme në vend, si në Zvërnec, aeroportin e Vlorës dhe në Durrës, ku sipas opozitës mungon transparenca dhe konsultimi publik.

“Kush janë këta që i marrin vendimet pa asnjë proces transparent? E njëjta situatë në Zvërnec, në aeroportin e Vlorës, në Durrës e gjetkë. Nuk ka asnjë vendimmarrje transparente”, deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD-së argumenton se përqendrimi i pasurive publike në duart e një grupi të vogël interesash po krijon pakënaqësi qytetare dhe po shton protestat në vend.

Sipas saj, ekonomia dhe administrimi i pasurive publike duhet të bazohen në meritokraci, transparencë dhe llogaridhënie, në mënyrë që qytetarët të kenë besim tek institucionet dhe proceset vendimmarrëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related