Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) kanë prezantuar një plan të përbashkët emergjent për të përballuar shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, duke kërkuar një financim prej 518 milionë dollarësh.
Nisma synon të frenojë përhapjen e virusit në zonat e prekura dhe të parandalojë zgjerimin e tij në vendet fqinje. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se situata mbetet shqetësuese dhe se ritmi i përhapjes së virusit vazhdon të jetë i lartë.
“Shpërthimi po përparon me shpejtësi”, tha Tedros, duke theksuar se reagimi efektiv kërkon angazhim të institucioneve shtetërore, bashkëpunim me komunitetet lokale dhe koordinim të ngushtë ndërkombëtar.
Plani i hartuar nga OBSH-ja, Africa CDC dhe partnerët e tyre bazohet në konceptin “një plan, një buxhet, një ekip” dhe përfshin mbikëqyrjen epidemiologjike, testimet laboratorike, trajtimin e pacientëve, parandalimin e infeksioneve, kërkimin shkencor, logjistikën dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Africa CDC, deri tani janë konfirmuar 397 raste me Ebola dhe 63 viktima. Autoritetet shëndetësore po monitorojnë gjithashtu më shumë se 5 mijë persona që kanë pasur kontakte me të infektuarit.
Drejtori i Africa CDC, Jean Kaseya, deklaroi se shkalla e vdekshmërisë aktualisht vlerësohet në rreth 15.9 për qind, ndërsa 11 vende të rajonit konsiderohen në rrezik potencial për përhapjen e virusit.
Që prej shpalljes së shpërthimit më 15 maj, Ebola është zgjeruar ndjeshëm në Republikën Demokratike të Kongos, duke kaluar nga një provincë dhe tre zona shëndetësore në tre provinca dhe 26 zona të prekura.
Epiqendra e krizës mbetet provinca Ituri, ku regjistrohen mbi 90 për qind e rasteve të konfirmuara dhe rreth 70 për qind e viktimave të raportuara deri më tani.
