Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qindra qytetarë vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke mbajtur gjallë thirrjet kundër projektit të Zvërnecit dhe kundër qeverisë.
Protestuesit kërkuan sërish anulimin e investimit të planifikuar në Zvërnec, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë lëvizjes në qendër të kryeqytetit, pjesëmarrësit artikuluan thirrje të ndryshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Një moment tensioni u regjistrua pranë Bashkisë së Tiranës, ku në fasadën e një ndërtese po transmetohej në një ekran të madh një intervistë e kryeministrit Edi Rama për një media të huaj.
Pamjet e kreut të qeverisë shkaktuan reagime nga një pjesë e protestuesve, të cilët hodhën shishe në drejtim të ekranit, ndërsa turma vijoi me thirrje dhe slogane politike.
Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje të përsëritura në kor lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa protesta vazhdoi përgjatë disa akseve kryesore të kryeqytetit.
Tubimi dhe marshimi u zhvilluan nën monitorimin e forcave të policisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe gjatë ditëve në vijim.
