Gazetari Artan Hoxha ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat kundër projektit të Zvërnecit, duke e akuzuar kreun e qeverisë për mungesë reflektimi dhe për një qasje të pandryshueshme ndaj kundërshtimeve qytetare.
I ftuar në një studio televizive, Hoxha u ndal te qëndrimi i Ramës se projekti nuk do të anulohet, edhe nëse kundërshtohet nga një numër i madh qytetarësh, duke e cilësuar këtë si një shenjë të vendosmërisë së tij për të mos ndryshuar kurs.
Sipas gazetarit, kryeministri është një politikan që përshtat qëndrimet sipas rrethanave dhe kërkon vazhdimisht të identifikojë pikat më të dobëta të kundërshtarëve të tij politikë apo të lëvizjeve qytetare.
“Rama është politikan kameleon. Është një politikan që nuk e bren ndërgjegjja. Nuk ka as mik, as shok. Ka mbetur vetëm ai”, u shpreh Hoxha gjatë analizës së tij.
Ai kujtoi gjithashtu se kryeministri ka përdorur edhe më herët strategji të ngjashme përballë protestave të ndryshme, duke u shfaqur fillimisht i gatshëm për dialog, për të testuar më pas forcën dhe qëndrueshmërinë e kundërshtimit publik.
Sipas Hoxhës, zhvillimet rreth Zvërnecit tregojnë se qeveria po vëzhgon me kujdes nivelin e mobilizimit qytetar dhe ndikimin që kjo lëvizje mund të ketë në klimën politike të vendit.
Debati mbi projektin në Zvërnec ka vijuar të dominojë diskutimin publik gjatë ditëve të fundit, ndërsa protestat kundërshtuese janë zgjeruar në disa qytete të vendit dhe kanë marrë një dimension më të gjerë politik.
