Protesta kundër projektit të planifikuar në Zvërnec ka vijuar edhe mbrëmjen e kësaj të premteje para Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë u mblodhën për të gjashtën ditë radhazi për të shprehur kundërshtimin e tyre.
Pasi u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe duke artikuluar thirrje kundër projektit dhe qeverisë.
Një nga mesazhet që tërhoqi vëmendjen gjatë tubimit ishte pankarta me mbishkrimin: “Rama, ne ta grisim kontratën!”, si përgjigje ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me investimin e planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pjesëmarrësit ritheksuan kundërshtimin ndaj projektit, duke argumentuar se ai cenon interesin publik dhe pasuritë natyrore të zonës, ndërsa kërkuan më shumë transparencë dhe konsultim me qytetarët për çdo vendimmarrje që prek territorin dhe mjedisin.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë, kryeministri Rama zhvilloi një takim me banorët e Zvërnecit në Vlorë, ku diskutoi mbi projektin dhe shqetësimet e ngritura nga komuniteti lokal.
Protestuesit kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesat e tyre tashmë përfshijnë jo vetëm çështjen e Zvërnecit, por edhe një sërë ndryshimesh ligjore dhe politike që, sipas tyre, lidhen me menaxhimin e territorit dhe interesin publik.
