Alfred Çako në protestën për Zvërnecin: Populli është si dragoi, kur zgjohet bëhet i pandalshëm

Data

Protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë kundër projektit në Zvërnec iu bashkua edhe Alfred Çako, i cili mbajti një fjalim para qytetarëve të mbledhur në ditën e gjashtë të mobilizimit.

Në fjalën e tij, Çako e krahasoi popullin me një “dragua që duket sikur fle”, por që sipas tij bëhet më i fortë dhe më i rrezikshëm kur zgjohet për të kërkuar ndryshim.

“Sot e shoh në çfarë gjendje ndodhet Shqipëria. Populli është si dragoi, duket sikur fle, por kur duket sikur fle është më i rrezikshëm se kurrë për të gjithë diktatorët”, deklaroi ai para protestuesve.

Duke kujtuar lëvizjen studentore të Dhjetorit 1990, Çako tha se brezi i ri po përballet me sfida të reja dhe se Shqipëria ka nevojë për një kontratë të re sociale dhe institucionale.

Ai kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se vendi duhet të hyjë në një fazë të re reformash politike dhe institucionale. Sipas tij, sistemi duhet të garantojë më shumë balancë pushtetesh, kufizim mandatesh për drejtuesit politikë dhe një rol më të madh të qytetarëve në vendimmarrje.

“Ky vend duhet të vihet në shina dhe në ekuilibër. Shqipëria ka nevojë për institucione më të forta dhe për një model të ri përfaqësimi”, u shpreh Çako.

Ai gjithashtu theksoi se protestat aktuale kanë rëndësi për të ardhmen politike të vendit, duke deklaruar se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm në zgjedhjet dhe vendimet që do të ndikojnë zhvillimet e viteve të ardhshme.

Protesta për Zvërnecin vijon të mbledhë qytetarë dhe aktivistë që kundërshtojnë projektin e planifikuar në zonë, ndërsa kërkesat e tyre tashmë janë zgjeruar edhe në çështje më të gjera politike, institucionale dhe mjedisore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related