Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë takimit me banorët e Zvërnecit se investimi i planifikuar në zonë nuk do të largohet nga Shqipëria, duke argumentuar se projekte të tilla kanë ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Sipas Ramës, largimi i një investitori të huaj do të dëmtonte seriozisht imazhin e Shqipërisë dhe do të kishte pasoja për të ardhmen e sektorit të turizmit.
“Ky investim nuk ikën nga Shqipëria sa të jem unë këtu. Nëse largohet, do të thotë të kthejmë mbrapsht vite të tëra pune dhe përpjekjesh për zhvillimin e turizmit”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se projekti ende nuk është përfunduar dhe se, sapo të jetë gati, prezantimi i parë nuk do të bëhet në Tiranë, por përpara banorëve të zonës së Zvërnecit.
“Në momentin që projekti të jetë gati, ai do të vijë së pari tek ju, tek banorët, për t’u prezantuar dhe diskutuar”, u shpreh Rama.
Duke komentuar protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër projektit, kryeministri tha se nuk ka pasur asnjë arsye për negociata, pasi sipas tij ende nuk ekziston një projekt i miratuar për të cilin mund të zhvillohet debat konkret.
Rama i cilësoi protestat si lëvizje me karakter politik dhe jo mjedisor, duke argumentuar se kërkesat e ngritura nga protestuesit tregojnë se qëllimi i tyre shkon përtej çështjes së Zvërnecit.
Sipas kreut të qeverisë, debati duhet të zhvillohet mbi projektin konkret kur ai të paraqitet, ndërsa theksoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e interesit publik duhet të ecin paralelisht në çdo iniciativë investuese.
