Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Pelushi, ka zgjedhur një televizion grek për të dhënë intervistën e tij të parë televizive.
Ndonëse e njeh gjuhën greke, ai foli në shqip për televizionin shtetëror të Greqisë, ERT. Kryepeshkopi rrëfeu rrugëtimin e tij të besimit, studimet dhe bashkëpunimin që pati me paraardhësin e tij Anastas Janullatos.
Çfarë ju frymëzoi t’i kushtoni jetën Orthodhoksisë dhe Misionit?
“Kontakti im i parë me ungjillin ishte në shkollën e tretë të mesme. Një mik i vëllait më dha një libër në frëngjisht. Ai nuk e dinte se çfarë libër ishte. Sapo kisha mësuar frëngjisht. Kur lexova Ungjillin ndjeva diçka brenda meje që është e vështirë të përshkruhet. Jam rritur në një familje të madhe me tetë fëmijë. Unë isha më i vogli nga djemtë. Kur isha fëmijë i vogël, kisha gëzim shumë të madh, familjet e mëdha japin gëzim. Megjithatë, duke u rritur, gëzimi duket se largohet pak. Fillon të interesohesh për gjëra të tjera.
Të interesojnë më shumë librat e filozofisë, historisë dhe kur lexoja Ungjillin ndjeva diçka në shpirt, jo të huaj, diçka tjetër. Gëzimi i parë m’u kthye sërish dhe kjo më ndryshoi gjithë jetën. Ndonjëherë është shumë e vështirë të kuptosh se si ndodhin gjërat, sepse ne nuk mund të kuptojmë dhe shpjegojmë gjithçka. Ndoshta ne mund t’i kuptojmë ato siç i shpjegoj tani.
