Lëvizja qytetare kundër projektit të Zvërnecit ka bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe gjatë fundjavës, me dy tubime të planifikuara për ditën e shtunë në Vlorë dhe Tiranë.
Organizatorët njoftuan se protesta e parë do të zhvillohet në Vlorë, ku qytetarët do të mblidhen në orën 11:00 për të kundërshtuar projektin e debatueshëm në zonën e Zvërnecit dhe për të kërkuar mbrojtjen e territorit dhe transparencë të plotë mbi investimin e planifikuar.
Më pas, në orën 18:00, protestuesit do të rikthehen në kryeqytet për tubimin e radhës përpara Kryeministrisë, duke vijuar mobilizimin që prej gjashtë ditësh ka mbledhur mijëra qytetarë në Tiranë.
“Nuk ndalemi”, është mesazhi që shoqëron thirrjen për pjesëmarrje, ndërsa organizatorët theksojnë se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Aktualisht, protesta e gjashtë po zhvillohet përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë mbledhur për të kundërshtuar projektin në Zvërnec dhe për të kërkuar ndryshime në politikat që lidhen me investimet strategjike, zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Sipas organizatorëve, protesta e së shtunës pritet të jetë një tjetër demonstrim i kundërshtimit qytetar ndaj projektit, duke shtrirë mobilizimin njëkohësisht në Vlorë dhe Tiranë.
