Vokshi kërkon raportim të Ramës në Kuvend për negociatat me BE-në dhe kushtet e reja për Shqipërinë

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke kërkuar që kryeministri Edi Rama të raportojë në seancë plenare mbi rezultatet e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian.

Në kërkesën e depozituar në Kuvend, Vokshi thekson se më 26 maj 2026 në Bruksel u zhvillua konferenca ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e fokusuar te grupkapitulli “Themeloret”, i konsideruar si kapitulli më i rëndësishëm i procesit të negociatave për anëtarësim.

Sipas deputetes demokrate, Kuvendi duhet të informohet zyrtarisht mbi konkluzionet e arritura, kushtet e ndërmjetme të përmbushura dhe kriteret e reja që Shqipëria duhet të realizojë në vijim të procesit të integrimit europian.

Vokshi argumenton se kërkesa e saj mbështetet në Ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me ligjin nr. 19/2023, i cili detyron Këshillin e Ministrave dhe ministrin përgjegjës për negociatat të raportojnë në Kuvend pas çdo konference ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

“Në bazë të këtij detyrimi ligjor, kërkoj përfshirjen në kalendarin e punimeve të raportimit mbi konkluzionet e Konferencës së Tetë Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria për grupkapitullin ‘Themeloret’”, thuhet në kërkesën e saj.

Deputetja e opozitës thekson se transparenca mbi procesin e negociatave dhe detyrimet që burojnë prej tij është një domosdoshmëri për Kuvendin dhe opinionin publik, duke kërkuar që qeveria të japë shpjegime të detajuara mbi ecurinë e integrimit europian të vendit.

Kërkesa e Vokshit vjen në një moment kur procesi i negociatave me Bashkimin Europian konsiderohet një nga prioritetet kryesore të institucioneve shqiptare dhe pas zhvillimeve të fundit në kapitujt themelorë të anëtarësimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related