Von der Leyen nga Samiti i Tivarit: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE, Shqipëria të ecë shpejt drejt anëtarësimit

Data

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përcjellë një mesazh të fortë mbështetjeje për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor të zhvilluar në Tivar të Malit të Zi.

Në konferencën për shtyp pas samitit, Von der Leyen theksoi se e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Europian dhe se procesi i zgjerimit mbetet një prioritet strategjik për Brukselin.

“Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian. Kjo nuk është vetëm një premtim, por një zgjedhje strategjike që po e ndërtojmë përmes investimeve, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë”, deklaroi ajo.

Presidentja e Komisionit Europian nënvizoi se zgjerimi i BE-së ka rëndësi gjeostrategjike dhe përbën një investim të drejtpërdrejtë në paqe, stabilitet dhe siguri për të gjithë kontinentin.

Sipas saj, procesi i anëtarësimit duhet të vazhdojë të bazohet te meritat e secilit vend, por pa u shndërruar në një procedurë të ngadaltë dhe burokratike.

“Kur reformat realizohen, atëherë progresi në procesin e anëtarësimit duhet të pasojë. Duam të shpërblejmë reformat me integrim real, akses në programet europiane, financime dhe tregje”, tha Von der Leyen.

Ajo veçoi Malin e Zi si vendin më të avancuar në procesin e zgjerimit, duke vlerësuar se anëtarësimi i tij në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 është një objektiv i arritshëm.

Në të njëjtën kohë, Von der Leyen shprehu bindjen se Shqipëria mund të ndjekë me shpejtësi të njëjtën rrugë, nëse vazhdon me ritmin e reformave dhe përmbushjes së detyrimeve europiane.

“Shpresojmë që Shqipëria të ndjekë shpejt Malin e Zi dhe që i gjithë rajoni të afrohet gjithnjë e më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi gati për një komunitet me fat të përbashkët”, u shpreh presidentja e Komisionit Europian.

Samiti i Tivarit u fokusua te Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi ekonomik dhe perspektiva europiane e rajonit, ndërsa liderët europianë dhe ata të vendeve të Ballkanit ritheksuan angazhimin për përshpejtimin e procesit të integrimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related