Debatet në Kuvend janë tensionuar këtë të enjte, teksa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër deputetin dhe ministrin e Mbrojtjes, Piro Vengu. Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Parlamentit, Berisha e akuzoi Vengun se ka dezertuar nga ushtria dhe i kërkoi publikisht të japë shpjegime para qytetarëve.
“Thuaju shqiptarëve, a ke dezertuar nga ushtria apo jo? Thuaju shqiptarëve të vërtetën. Ke dezertuar apo jo?”, deklaroi Berisha, duke shtuar se Vengu ka mashtruar lidhur me origjinën e tij familjare dhe pretendimet për lidhje me figurën historike të Marko Boçarit.
Kreu demokrat u shpreh se ministri duhet t’u japë përgjigje qytetarëve për të kaluarën e tij dhe e cilësoi të papranueshme që një person me pretendime të tilla të drejtojë institucionin e mbrojtjes së vendit.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha përsëriti edhe thirrjen drejtuar qeverisë për të hequr dorë nga organizimi i aktivitetit të paralajmëruar në Vlorë, të cilin e konsideroi një “anti-miting” ndaj protestave qytetare.
Deklaratat e Berishës shkaktuan reagime në sallën e Kuvendit, ndërsa pritet edhe një përgjigje nga ministri Piro Vengu lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij.
