Konflikti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës vijon të mbetet i hapur, pavarësisht vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë që i dha të drejtë kompanisë së biznesmenit Behgjet Pacolli. Kompania “Mabco Constructions S.A.” ka reaguar publikisht, duke akuzuar institucionet shtetërore për moszbatim të vendimit gjyqësor dhe për vonesa që po pengojnë rifillimin e punimeve në projektin strategjik.
Sipas kompanisë, pengesa kryesore mbetet bllokimi i hyrjes në kantier, situatë që vijon edhe pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Lartë. “Mabco” pretendon se i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me dhjetëra shkresa zyrtare, por pa marrë përgjigje konkrete.
Në reagimin e saj, kompania thekson se ka investuar mbi 90 milionë euro në projekt, ndërsa ka vendosur garanci dhe kolaterale financiare me vlerë qindra milionë euro për realizimin e aeroportit.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paralajmëruar më herët mundësinë e prishjes së kontratës nëse situata nuk zgjidhet brenda afateve të përcaktuara, duke shtuar më tej tensionet mes palëve.
Përplasja lidhet me konfliktin mes aksionarëve të shoqërisë koncesionare, ku kompania “2A Group” e biznesmenit Valon Ademi dhe “Mabco” e Behgjet Pacollit kanë zhvilluar një betejë të gjatë ligjore mbi administrimin dhe kontrollin e projektit.
Pas vendimeve të ndryshme të gjykatave të shkallëve më të ulëta, Gjykata e Lartë vendosi në favor të “Mabco”, duke rikthyer kontrollin e projektit te investitori kryesor. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, punimet në Aeroportin e Vlorës mbeten ende të bllokuara.
Kompania e Pacollit kërkon ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe zhbllokimin e kantierit, duke paralajmëruar se ruan të gjitha të drejtat ligjore që rrjedhin nga kontrata e koncesionit dhe marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve.
