Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka kërkuar praninë e kryeministrit Edi Rama në seancën parlamentare, duke e akuzuar mazhorancën për shmangie të llogaridhënies përballë Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij, Kapri theksoi se sipas Rregullores së Kuvendit, dita e mërkurë është e dedikuar për seancat pyetje-përgjigje me anëtarët e qeverisë dhe kryeministrin, ndërsa akuzoi shumicën se po pengon zhvillimin normal të këtij procesi.
“Edi Rama duhet të vijë në Kuvend dhe të japë përgjigje për pyetjet që i janë drejtuar. Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet te askush tjetër”, deklaroi Kapri.
Deputeti i opozitës kërkoi gjithashtu sqarime nga Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari lidhur me përplasjet e ndodhura gjatë protestave të fundit, duke e akuzuar qeverinë për përdorim force ndaj qytetarëve.
Sipas Kaprit, deklaratat e kryeministrit për një “luftë hibride” kundër Shqipërisë duhet të shoqërohen me prova dhe shpjegime publike. Ai i bëri thirrje ministrit të japë llogari për veprimet e policisë gjatë protestave dhe kërkoi dorëheqjen e tij.
“Nëse keni guxim politik, jepni dorëheqjen. Qytetarët nuk mund të përballen me dhunë dhe të mos ketë asnjë përgjegjësi institucionale”, u shpreh Kapri.
Deklaratat e deputetit erdhën në një klimë tensionesh politike, pas protestave të zhvilluara para Kryeministrisë dhe debateve të forta mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend.
