Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në një media ndërkombëtare lidhur me debatet dhe protestat kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit. Në një intervistë për CNN International, kreu i qeverisë mohoi pretendimet se investimi lidhet me krijimin e një ishulli privat për familjen Trump dhe akuzoi kundërshtarët e projektit për përhapje të informacionit të pavërtetë.
I pyetur për protestat e zhvilluara në Tiranë dhe kundërshtimin ndaj investimit të lidhur me Jared Kushner, Rama deklaroi se realiteti po paraqitet në mënyrë të shtrembëruar dhe se nuk bëhet fjalë për protesta në të gjithë vendin.
“Së pari, duhet të sqarojmë se nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet. Shumë nga informacionet që po qarkullojnë nuk përputhen me realitetin”, u shpreh ai.
Kryeministri e lidhi debatin rreth projektit me atë që e cilësoi si një fushatë të organizuar dezinformimi kundër Shqipërisë dhe zhvillimit të saj turistik.
“Shqipëria po përballet me sulme nga interesa të ndryshme, përfshirë konkurrencën rajonale në Mesdhe dhe rrjete të profileve të rreme në internet që përhapin informacione të pasakta. Ka edhe qytetarë me shqetësime të sinqerta për mjedisin, por shumë prej tyre janë keqinformuar”, tha Rama.
Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se projekti synon t’i japë familjes Trump kontroll mbi zona të mbrojtura natyrore.
“Nuk ekziston asnjë ‘Ishull i familjes Trump’. Nuk ekziston asnjë plan për t’i kaluar familjes së presidentit amerikan kontrollin e zonave të mbrojtura apo të habitateve natyrore me flamingo”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi se debati duhet të mbështetet mbi fakte dhe jo mbi informacione të pakonfirmuara, ndërsa shtoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit mund të ecin paralelisht nëse projektet realizohen sipas standardeve të kërkuara.
