“Zvërneci”, tensione në protestë/ Qytetarët tentojnë të çajnë gardhin metalik, thirrje Policisë: Hapni rrugën!

Data

Protesta kundër projektit të investimit në Zvërnec është shoqëruar me momentet e para të tensionit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku qindra qytetarë janë mbledhur për të kundërshtuar zhvillimet në zonën bregdetare.

Pasi Policia e Shtetit vendosi gardhe metalike përgjatë bulevardit, një grup protestuesish tentuan të kalonin barrierat për të vijuar marshimin drejt Kryeministrisë. Situata u tensionua për disa minuta, ndërsa forcat e policisë u pozicionuan për të penguar kalimin e turmës.

Ndërkohë, disa protestues që ndodheshin në anën tjetër të urës së Lanës kërkuan t’i bashkoheshin pjesës kryesore të tubimit, duke shtuar presionin pranë zonës së rrethuar me gardhe.

Mes thirrjeve dhe pankartave kundër projektit në Zvërnec, qytetarët iu drejtuan forcave të rendit me sloganin: “Hapni rrugën!”, duke kërkuar lejimin e marshimit drejt institucioneve qendrore.

Deri më tani nuk është e qartë nëse protestuesit do të lejohen të afrohen pranë godinës së Kryeministrisë. Forca të shumta policore vijojnë të jenë të pranishme në terren, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vazhdojë në mënyrë paqësore.

Tubimi i kësaj mbrëmjeje është pjesë e valës së protestave që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera, ku qytetarët kërkojnë transparencë të plotë dhe ndalimin e projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related