Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me debatet e krijuara për projektin turistik në Zvërnec, duke e cilësuar të paligjshëm rrethimin e bregut të detit në zonën ku parashikohet investimi.
Në një deklaratë publike, Braçe theksoi se bregdeti është pronë shtetërore dhe nuk mund të tjetërsohet apo të kufizohet për qytetarët.
“Rrethimi në Zvërnec, i bregut të detit është tërësisht i paligjshëm, sepse bregu i detit është pronë shtetërore, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme”, u shpreh ai.
Deputeti socialist ngriti gjithashtu shqetësime serioze mbi mënyrën se si janë krijuar titujt e pronësisë në zonë. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e tokave që sot figurojnë si private kanë qenë më parë fond pyjor dhe janë tjetërsuar përmes vendimeve korruptive.
Braçe deklaroi se në disa zona bregdetare të vendit, përfshirë edhe Zvërnecin, toka pyjore është kthyer në tokë bujqësore nga zyrtarë të korruptuar dhe më pas është shpërndarë përmes ligjit 7501, duke krijuar pronarë të rremë.
“Toka që është fond pyjor është tjetërsuar nga zyrtarë të korruptuar në tokë bujqësore dhe është shpërndarë përmes ligjit 7501, duke krijuar pronarë të rremë. Sot ka persona që mbajnë tituj pronësie mbi toka që në fakt i përkasin fondit pyjor”, tha ai.
Deklaratat e Braçes vijnë në një kohë kur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur verifikimet mbi titujt e pronësisë në zonën ku pritet të realizohet investimi turistik.
SPAK ka ndërmarrë gjithashtu veprime mbi fondet e transferuara për blerjen e tokave në këtë zonë. Hetimet synojnë të verifikojnë ligjshmërinë e dokumentacionit të pronësisë dhe procedurat e ndjekura ndër vite për tjetërsimin e tokave.
Çështja e Zvërnecit ka shkaktuar debate të forta politike dhe reagime publike, ndërsa protestat kundër projektit vijojnë si në Shqipëri ashtu edhe në disa qytete të diasporës shqiptare.
