Pallati i Kongreseve drejt transformimit, projekti fitues parashikon kullë 225 metra, hotel, zyra dhe hapësira të reja publike

Data

Një nga hapësirat më ikonike të kryeqytetit pritet të pësojë transformimin më të madh urban të dekadave të fundit, pasi është shpallur projekti fitues për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve dhe zonës përreth.

Gara ndërkombëtare u fitua nga studioja prestigjioze  Herzog & de Meuron, në bashkëpunim me një grup arkitektësh dhe kompanish shqiptare e ndërkombëtare.

Sipas projektit të prezantuar, ndërhyrja synon modernizimin e kompleksit ekzistues duke ruajtur karakterin arkitektonik të godinës, ndërsa njëkohësisht parashikon krijimin e hapësirave të reja publike, sallave të konferencave dhe një kulle multifunksionale që pritet të shndërrohet në një nga ndërtesat më të larta në Tiranë.

Koncepti përfshin krijimin e një sheshi të gjelbër publik, riorganizimin e qarkullimit të këmbësorëve dhe ndërtimin e një atriumi të madh që do të funksionojë si një “pyll urban” në zemër të kompleksit. Arkitektët kanë theksuar se ndërhyrjet në godinën ekzistuese do të jenë minimale, duke respektuar historinë dhe identitetin e Pallatit të Kongreseve.

Brenda objektit parashikohen përmirësime të akustikës, rikonstruksioni i çatisë dhe krijimi i gjashtë sallave të reja konferencash me kapacitet total prej rreth 1,600 pjesëmarrësish.

Pjesa më e debatueshme e projektit mbetet ndërtimi i kullës multifunksionale, e cila do të përfshijë zyra, hotel, ambiente shërbimi, restorante dhe hapësira rekreative. Juria e konkursit ka rekomanduar që gjatë fazës së detajimit të projektit të rishikohet lartësia dhe dizajni i pjesës së sipërme të kullës për të garantuar integrimin sa më harmonik me hapësirën publike.

Projekti konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme urbane në qendrën e Tiranës dhe pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e zonës përreth Pallatit të Kongreseve në vitet e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related