Protesta kundër projektit në Zvërnec ka shënuar momente tensioni mbrëmjen e sotme para godinës së Kryeministrisë, kur një grup qytetarësh tentoi t’i afrohej hyrjes kryesore të institucionit.
Lëvizja e protestuesve ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga pjesëmarrës të tjerë në tubim, të cilët kanë kërkuar ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e çdo veprimi që mund të çonte në përshkallëzim të situatës. Thirrja “Jo provokime!” është dëgjuar vazhdimisht nga turma, si një apel për të mbajtur protestën brenda kornizave paqësore.
Pavarësisht episodeve të tensionit, manifestimi ka vijuar normalisht, ndërsa organizatorët kanë theksuar se qëllimi i protestës mbetet shprehja e kundërshtimit ndaj projektit në Zvërnec dhe jo përplasja me institucionet apo forcat e rendit.
Pjesëmarrësit kanë kërkuar anulimin e projektit, duke argumentuar se ai prek një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore dhe publike. Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar me pankarta dhe slogane kundër projektit, duke kërkuar më shumë transparencë dhe dëgjim të shqetësimeve të komunitetit.
Tubimi vazhdon nën masa të shtuara sigurie, ndërsa pjesëmarrësit kanë bërë thirrje që protesta të mbetet qytetare dhe pa incidente.
