Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka dalë dje në një rrëfim të hapur për aferën e Inceneratorit të Tiranës, duke akuzuar për zhdukje të dokumenteve dhe për manipulime të qëllimshme nga qeveria. Ai foli gjithashtu për kërcënimet me jetë që ka marrë dhe për prapaskenat e procesit të ekstradimit nga Zvicra. Ahmetaj i ftuar në një emision televiziv deklaroi se për aferën e inceneratorit të Tiranës po tentohet të fshihen dokumente madje janë hequr edhe VKM-të nga 2021 e më herët. Ahmetaj tha se gabimi më i madh i jetës së tij është besimi te kryeministri Edi Rama. “Gabimi më i madh që kam bërë është besimi te Edi Rama. Le të vijnë vërdallë lesh kanë për të gjetur, nuk i kam bërë ato që thotë Elvin Gokaj dhe Altin Dumani. Elvin mos i përdor për garën për kreun e të SPAK, ato që i kam bërë i them vetë. Më thonë po ti pse nuk ke luftuar. Kam luftuar. Kam luftuar për kanabisin por kam kundërshtuar TVSH, kam kundërshtuar inceneratorin e Tiranës. Kanë tentuar të zhdukin letrat. Futuni dhe shihni a janë VKM e para 2021? I kam marrë të gjitha me USB me kopje. Nuk merrem me prokurorin siç merret ai me mua, prokurorin tim në Veting e kanë kthyer në shkollë. Ka zero transaksion, kanë kërkuar në Austri, Zvicër, Greqi”, deklaroi Ahmetaj.
Kërcënimet me jetë
Ai ka reaguar sërish mbi zhvillimet në seancën gjyqësore për dosjen “Buka”, ku u fol dhe për një kërkesë për ekstradimin e tij nga Zvicra. Ahmetaj shkoi më tej, duke deklaruar se ai beson se ka një plan për eliminimin e tij fizik. Sipas tij, urdhri i arrestit ka dalë para 3 vitesh dhe në kohë rekord. Sipas tij, ishte Rama ai që urdhëroi ndalimin e tij, apo siç Ahmetaj e cilëson “kreu i organizatës”. “Sot ishte, le të themi, teatri i radhës, që bën struktura që unë e kam përmendur dikur, por që është drejt, që drejtohet nga qeveria e tymnajës për të mbuluar të gjitha ato skandale që po dalin një nga një, në Tiranë dhe që përfshijnë persona, anëtarë të qeverie të lartë. Dhe ajo që më çudit është dhe përfshirja e drejtpërdrejtë edhe e prokurorit tjetër, sepse përsa i përket, më parë unë e kam sqaruar përfshirjen e SPAK-ut deri në arrestimin, tentativën për të më arrestuar me urgjencë, që e kam thënë disa herë, dyshoj, po tashmë nuk dyshoj më, që janë të përfshira tek eliminimi im fizik. Dhe sot e vërteta, e vërteta e të gjithë asaj pyetje që unë kam ngritur, është shumë e qartë për këdo. Shumëkush më thotë, po të kishe qëndruar këtu, sot nuk do ishe i gjallë. Dhe e kam thënë disa herë që unë nuk është se mbahem për ndonjë trim, por, për familjen time, nuk kam asnjë alternativë tjetër përveçse të jem i drejtë, sqarues dhe patjetër trim. Sot doli lajmi që me demek ishte bërë një kërkesë e re për ekstradimin tim. Cili ishte lajmi i rremë? I dal, shpresoj jo, i dalë nga të njëjtat dyer. Shpresoj që SPAK-u të mos jetë i përfshirë në këtë tymnajë, për të sqaruar publikun, kërkesa për ekstradim është bërë në datën 18 gusht të vitit 2023. Kohë rekord. Domethënë rekord përkthyer, rekord bërë kërkesat me urdhër të kreut të organizatës. Dhe kjo s’ka më dyshim tani, për mua s’ka pasur dyshim që ditën një, që ditën që kam kërkuar në shkurt të vitit 2022 largimin nga qeveria, dorëheqjen”, tha Ahmetaj.
Ekstradimi
Ahmetaj ka shtuar sulmet ndaj SPAK teksa ishte duke folur për çështjet që drejtësia po e heton. “Imagjino që SPAK-u ka pasur dhe qytetarët e kanë parë vonesa në kërkesa ekstradimi, vonesa në ekzekutim urdhër arresti, vonesa në, le të themi në sigurimin e provave, në garantimin e provave, në ruajtjen e provave. Por asnjë vonesë në rastin tim për të kërkuar ekstradimin. Ne e dimë që ka vonuar urdhër arresti, nga gjykata me tre, katër, pesë, gjashtë muaj, një vit. Ca të tjera s’i ka bërë fare, ndërsa në rastin tim, urgjenca ka qenë shembullore. E para. E dyta, që ishte po në vazhdën e tymnajës, ka të bëjë me një pseudo transaksion. Tani, unë do ta lë në tryezën tuaj dhe të qytetarëve sfidë. Sfidë, që nëse do kishte një transaksion të dali sa më parë. E para, që letër porosia nga Austria që ka kërkuar prokurori Elvin Gokaj, ka, minimalisht në maj, ka arritur në Shqipëri. Dhe prokurori e ka shprehur që s’ka lidhje fare me mua dhe secili nga ne e di ç’ka bërë ose çfarë nuk ka bërë në jetë. Tani, për çfarë ka dalë sot kjo zhurmnajë? Ka tre arsye. Një arsye është devijimi i vëmendjes nga skandalet, edhe mediat harrojnë që mungojnë dy ura në Llogara, harrojnë që mungojnë paratë e inceneratorëve, harrojnë që mungojnë paratë e IPARD-it, harrojnë që mungojnë paratë te Begetit, harrojnë që mungojnë paratë e ekoparkut. Dhe merren me një lajm të rremë vetëm për të devijuar vëmendjen nga e vërteta që po ndodh aty. Apo harrojnë edhe përfshirjen me organizatat kriminale dhe me kartelet e drogës. Edhe këto i harrojnë. Dhe merren me ekstradimin, me qejfin e madh për të më parë mua në burg, kreu i organizatës dhe shpura, që s’ka lidhje me Partinë Socialiste, se dëgjoj ndonjëherë që i turren Partisë Socialiste, nuk ka lidhje kjo me Partinë Socialiste. Tjetër gjë është Partia Socialiste. Partia Socialiste e kam thënë, është e mpirë. Fatkeqësisht”, nënvizoi dje Ahmetaj.
