Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke u bërë thirrje protestuesve që të zgjedhin përfaqësues dhe të zhvillojnë një bashkëbisedim publik me të.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se është i gatshëm të diskutojë për çdo shqetësim që lidhet me projektin, duke përfshirë çështjet e pronësisë, transparencës, investimeve të huaja, mbrojtjes së natyrës dhe incidenteve të ndodhura gjatë protestave.
“Mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar”, shkroi kreu i qeverisë, duke propozuar që protestuesit të përfaqësohen nga një grup jo më i madh se 20 persona.
“Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një ‘larje goje’, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”, u shpreh Rama.
Në mesazhin e tij, kryeministri vlerësoi pjesëmarrësit në protesta si qytetarë të angazhuar, por ritheksoi se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projekti i planifikuar në Zvërnec.
Ai nënvizoi se mbetet i bindur për rëndësinë e investimit dhe e lidhi atë me vizionin e zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian të vendit.
Ftesa e Ramës vjen në ditën kur është paralajmëruar protesta e tretë radhazi kundër projektit. Organizatorët kanë njoftuar se qytetarët do të mblidhen në Sheshin Skënderbej dhe më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë, duke kërkuar anulimin e investimit në zonën e Zvërnecit.
Debati mbi projektin ka vazhduar të intensifikohet gjatë ditëve të fundit, duke përfshirë reagime nga institucione shtetërore, organizata qytetare dhe aktorë politikë, ndërsa qeveria dhe kundërshtarët e projektit mbeten në qëndrime të kundërta për të ardhmen e investimit.
