Avokati i Popullit nis hetim administrativ për incidentin në Zvërnec: Çdo formë dhune ndaj protestuesve është e papranueshme

Data

Avokati i Popullit ka bërë të ditur se ka nisur një hetim administrativ lidhur me incidentet e ndodhura gjatë protestës në Zvërnec, duke theksuar se çdo formë dhune ndaj qytetarëve është e papranueshme.

Gjatë një takimi në Shkodër, drejtuesi i institucionit deklaroi se procedura e verifikimit është iniciuar vetëm 30 minuta pas ngjarjes dhe se po ndiqen të gjitha rrethanat që lidhen me përplasjet mes protestuesve dhe personave të përfshirë në incident.

“Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe Policia e Shtetit kishte detyrimin ta mbikëqyrte dhe ta garantonte atë”, u shpreh ai.

Sipas Avokatit të Popullit, institucioni mbetet i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e rasteve kur aktorë privatë tejkalojnë kompetencat e tyre ligjore.

“Jemi të shqetësuar kur aktorë privatë marrin të drejta dhe tejkalojnë kompetencat e tyre. Kemi kërkuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbikëqyret”, deklaroi ai.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu problematika të tjera që prekin qytetarët, si çështjet e strehimit, bonusit të qirasë, pensioneve, kadastrës dhe trajtimit të fëmijëve. Sipas institucionit, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar mbi 2 mijë ankesa nga qytetarët në mbarë vendin.

I pyetur për krahasimet mes rasteve të Zvërnecit dhe konflikteve të pronësisë në zonën e Rrjollit, drejtuesi i Avokatit të Popullit shmangu komentet politike, duke theksuar se institucioni vepron mbi bazën e një standardi të vetëm: mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Ndërkohë, hetimi administrativ për ngjarjen në Zvërnec pritet të përcaktojë nëse janë respektuar detyrimet ligjore nga institucionet përgjegjëse dhe nëse ka pasur shkelje të të drejtave të protestuesve gjatë zhvillimit të tubimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related