Braho prezanton prioritetet e SPAK: 2026 do të jetë viti i konsolidimit të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Data

Kreu i Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, mori pjesë në prezantimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit, ku theksoi se viti 2026 do të shënojë një fazë të re konsolidimi për institucionin që ai drejton.

Në fjalën e tij, Braho deklaroi se rekomandimet e qeverisë do të analizohen me seriozitet dhe përgjegjësi, ndërsa SPAK do të vijojë të forcojë qasjen e tij proaktive në hetimin dhe goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas tij, lufta kundër këtyre fenomeneve nuk duhet të fokusohet vetëm te individët, por edhe te strukturat dhe rrjetet mbështetëse që mundësojnë aktivitetet kriminale.

“Viti 2026 për SPAK do të jetë viti i një konsolidimi të mëtejshëm. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të synojë jo vetëm individët, por edhe strukturat dhe rrjetet mbështetëse,” u shpreh Braho.

Ai nënvizoi se përmirësimi institucional mbetet një domosdoshmëri, ndërsa sfidat e përditshme kërkojnë jo vetëm angazhim të brendshëm, por edhe mbështetje të vazhdueshme institucionale.

Kreu i SPAK theksoi gjithashtu rëndësinë e transparencës ndaj publikut, duke sqaruar se informimi i qytetarëve duhet të bëhet pa cenuar proceset hetimore dhe sekretin e hetimit.

Një tjetër element që Braho e cilësoi thelbësor ishte bashkëpunimi ndërkombëtar, të cilin e konsideroi një nga shtyllat kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht për rastet që përfshijnë elementë ndërkufitarë.

Në përfundim, ai theksoi se objektivat e SPAK dhe rekomandimet institucionale nuk janë të ndara, por përbëjnë pjesë të së njëjtës përpjekje për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë penale dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related