Debati për ngjarjen e ndodhur në Zvërnec ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke sjellë reagime edhe në Greqi. Pas deklaratës së partisë së re të ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras, e cila shprehu shqetësim për dhunimin e një protestuesi me shtetësi greke gjatë protestës kundër projektit turistik në zonë, ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në një letër publike drejtuar Tsiprasit, Rama akuzon partinë e tij se ka kontribuar në transformimin e një incidenti të izoluar në një çështje me peshë politike, duke u mbështetur, sipas tij, në “gjysmë të vërteta” dhe duke shpërfillur faktet e verifikuara.
Kryeministri shqiptar thekson se incidenti nuk ndodhi gjatë një proteste të zakonshme për të drejtat e pronës, por në një klimë tensioni të nxitur nga dezinformimi dhe përpjekjet për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë që, sipas tij, operojnë mbi prona të blera në përputhje me ligjin shqiptar.
Rama kujton se pas ngjarjes autoritetet shqiptare reaguan menjëherë, duke arrestuar personat përgjegjës për dhunën, duke hequr licencën e kompanisë private të sigurisë dhe duke shkarkuar drejtorin e Policisë së Vlorës.
“Çfarë më shumë do të prisje, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë si kryeministër në këto rrethana?”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Ai kundërshton pretendimet se incidenti përbën provë të shkeljes së të drejtave të minoritetit grek, të drejtave të pronës apo të shtetit ligjor në Shqipëri, duke theksuar se këto çështje duhet të trajtohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente dhe jo nga deklarata politike të ndikuara nga zhvillimet e brendshme elektorale.
Në reagimin e tij, Rama vlerëson gjithashtu Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri si një pasuri të rëndësishme të vendit dhe garanton se ajo gëzon të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si çdo qytetar shqiptar.
Nga ana tjetër, partia e Tsipras kishte kërkuar që respektimi i të drejtave të pronës dhe i minoritetit grek të konsiderohen parakusht për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Polemika vjen në një moment kur çështja e Zvërnecit ka marrë përmasa të gjera politike, ligjore dhe diplomatike, ndërsa hetimet për incidentin dhe debatet mbi projektin turistik vijojnë si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.
