Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëdhëniet e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama janë të mira, megjithëse mes tyre ekzistojnë dallime në qasjen ndaj disa çështjeve politike.
Në një intervistë për emisionin “Politiko” në Kanal 10, Kurti theksoi se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk nënkupton domosdoshmërisht dakordësi për çdo temë, duke veçuar raportin me Beogradin zyrtar si një nga pikat ku qëndrimet ndryshojnë.
“Marrëdhëniet me Edi Ramën i kemi të mira. Kjo s’do të thotë që pajtohemi për të gjitha çështjet, në veçanti për shembull me qëndrimin tonë karshi Beogradit zyrtar. Ne kemi ndjeshmëri tjetër, aty dallojmë”, u shpreh Kurti.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës kanë qenë shpesh objekt diskutimesh publike për shkak të qasjeve të ndryshme në dialogun me Serbinë dhe zhvillimet rajonale.
Megjithatë, Kurti la të kuptohet se pavarësisht këtyre diferencave, bashkëpunimi institucional dhe marrëdhëniet politike mes dy kryeministrave mbeten në nivele të mira.
