Rama për Zvërnecin: “Një gardh i shëmtuar nuk mund të bëhet pleshti që djeg gjithë jorganin”

Data

Kryeministri Edi Rama ka vijuar mbrojtjen e projektit të zhvillimit në Zvërnec, duke argumentuar se incidentet e fundit dhe veprimet e kompanisë së sigurisë nuk duhet të përdoren për të bllokuar të gjithë investimin.

Në deklaratën e tij për mediat, Rama tha se i kupton reagimet e qytetarëve dhe se edhe vetë do të kishte reaguar njësoj nëse nuk do të kishte njohur detajet e projektit.

“Unë ju mirëkuptoj, edhe unë do kisha bërë të njëjtën gjë sikur mos dija këto gjëra,” u shpreh ai.

Kreu i qeverisë sqaroi se projekti ende nuk është përfunduar plotësisht në aspektin teknik dhe se studimi mjedisor nuk është paraqitur ende, ndaj sipas tij nuk ka pasur materiale të plota për t’u bërë publike më herët.

Rama iu përgjigj edhe kritikave se publiku nuk është informuar në kohë:

“Mos çohet njeri të thotë pse s’na i keni thënë më parë. Nuk e kemi projektin, s’është bërë gati akoma. Nuk e kemi studimin mjedisor, s’është bërë akoma.”

Duke iu referuar gardhit me tela me gjemba dhe dhunës së ushtruar ndaj protestuesve, ai e cilësoi situatën si të papranueshme, por theksoi se këto episode nuk duhet të përdoren për të rrëzuar të gjithë projektin.

“Nuk mund të bëhet një gardh shumë i shëmtuar, një akt skandaloz i një roje sigurie, pleshti që djeg gjithë jorganin.”

Sipas Ramës, kompania përgjegjëse tashmë është përballur me masa ndëshkuese dhe personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi.

“Kompania e mori dënimin e vet të plotë. Ata që vendosën telat me gjemba do ta paguajnë gjobën e tyre. Dhe ne do vijojmë përpara.”

Në fund të fjalës së tij, kryeministri hodhi poshtë akuzat se qeveria po vepron në dëm të interesit publik, duke deklaruar se nuk do të qëndronte në detyrë nëse do të tradhtonte besimin e qytetarëve.

“Ditën që do më shkonte në mendje t’ju tradhtoja, do largohesha kokë ulur dhe nuk do rrija më këtu.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related