Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me përplasjet e ndodhura në Zvërnec, duke dënuar ashpër sjelljen e rojeve private të sigurisë gjatë protestës kundër projektit turistik në zonë.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se e kupton zemërimin e protestuesve dhe se edhe vetë do të ishte revoltuar po të ndodhej në të njëjtën situatë.
“Edhe unë do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit, sepse do më dukej e tmerrshme që disa roje private, në sy të Policisë së Shtetit, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin me forcë një njeri që ishte në të drejtën e vet”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, reagimi i policisë në vendngjarje nuk ishte ai që duhej të ishte.
“Policia duhej t’i kishte arrestuar në vend personat që e morën zvarrë protestuesin, jo të dilte më pas me versione që nuk përputheshin me atë që panë qytetarët në pamjet filmike,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se e kupton reagimin e banorëve dhe aktivistëve, duke thënë se edhe vetë do të kishte reaguar ashpër nëse do t’i ishte thënë se toka në fjalë ishte pronë shtetërore e falur investitorëve të huaj.
“Do të kisha reaguar njësoj po të më thoshin se shteti po ua fal tokën të huajve, se zona është hequr nga mbrojtja apo se po rrezikohet mjedisi. I kuptoj emocionet dhe zemërimin që është krijuar,” tha Rama.
Megjithatë, kryeministri theksoi se debati duhet të mbështetet te faktet dhe jo te, sipas tij, “legjenda dhe pretendime të pavërtetuara” që kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit.
Në fund të deklaratës së tij, Rama ngriti pyetjen nëse qeveria duhet të tërhiqet përballë presionit publik apo të vazhdojë të shpjegojë argumentet që, sipas saj, mbështesin projektin.
Ngjarjet në Zvërnec kanë sjellë reagime të forta politike dhe qytetare, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime ndaj punonjësve të kompanisë private të sigurisë dhe ndaj zinxhirit drejtues të policisë lokale për mënyrën e menaxhimit të protestës.
