Mediat izraelite raportojnë për dorëheqjen e presidentit iranian Masoud Pezeshkian, por mungon konfirmimi zyrtar nga Teherani

Data

Mediat izraelite kanë raportuar se presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i ka paraqitur dorëheqjen liderit suprem, Mojtaba Khamenei, mes tensioneve të brendshme në strukturat drejtuese të Republikës Islamike.

Sipas raportimeve, informacioni bazohet në të dhëna të publikuara nga kanali opozitar iranian Iran International, i cili citon burime anonime të afërta me zhvillimet në Teheran. Burimet pretendojnë se Pezeshkian ka shprehur pakënaqësi të thellë për ndikimin në rritje të Garda Revolucionare Islamike në drejtimin e shtetit dhe proceset vendimmarrëse.

Sipas të njëjtave burime, presidenti iranian ka ngritur shqetësime se një pjesë e konsiderueshme e administratës shtetërore dhe e politikave strategjike po kontrollohen nga Garda Revolucionare, ndërsa institucione të tjera, përfshirë presidencën, kanë një rol gjithnjë e më të kufizuar.

Raportimet sugjerojnë se mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me menaxhimin e konfliktit aktual dhe ndikimin e tij në ekonominë iraniane, si dhe me pasojat sociale që po përballen qytetarët e vendit.

Lajmi vjen vetëm pak ditë pasi media amerikane CBS News raportoi se Mojtaba Khamenei ndodhet në një vend të fshehtë dhe me komunikim të kufizuar me botën e jashtme, një informacion që gjithashtu nuk është konfirmuar nga autoritetet iraniane.

Deri më tani, as presidenca iraniane dhe as institucionet zyrtare në Teheran nuk kanë reaguar ndaj këtyre pretendimeve. Për pasojë, raportimet mbi dorëheqjen e Pezeshkianit mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht dhe duhen trajtuar me kujdes deri në publikimin e një qëndrimi zyrtar nga autoritetet iraniane.

Nëse konfirmohet, një zhvillim i tillë do të përbënte një nga ngjarjet më të rëndësishme politike në Iran në vitet e fundit, me ndikim të mundshëm në ekuilibrat e brendshëm të pushtetit dhe në politikën rajonale të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related