Gentian Serjani: Udhëzimi për terapinë hormonale është pjesë e detyrimeve ndaj BE-së, qeveria po përpiqet të përmirësojë raportet për të drejtat e njeriut

Data

Aktivisti Gentian Serjani ka komentuar udhëzimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për terapinë hormonale për personat transgjinorë, duke e lidhur këtë zhvillim me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

I ftuar në një studio televizive, Serjani deklaroi se miratimi i këtij udhëzimi nuk duhet parë i shkëputur nga rrugëtimi i vendit drejt Bashkimit Europian, pasi sipas tij çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e komunitetit LGBTQ+ janë pjesë e kapitujve të rëndësishëm të negociatave.

Sipas aktivistit, në raportet e përvitshme të Bashkimit Europian, Shqipëria është kritikuar vazhdimisht për mangësi në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, çka ka shtyrë institucionet shqiptare të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar këto rekomandime.

“Në kuadër të procesit të integrimit europian dhe negociatave me Bashkimin Europian, qeveria shqiptare po përpiqet të përmbushë detyrimet që lidhen me të drejtat e njeriut. Një nga grupet që përfshihet në këto standarde është edhe komuniteti LGBTQ+”, u shpreh Serjani.

Ai argumentoi se vendimet e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë duhen parë si pjesë e përpjekjeve për harmonizimin e legjislacionit dhe praktikave shqiptare me standardet europiane në fushën e të drejtave dhe mosdiskriminimit.

Deklaratat e Serjanit vijnë në një kohë kur debati publik mbi udhëzimin për terapinë hormonale për personat transgjinorë ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik, ndërsa çështja vazhdon të diskutohet si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë të të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve shqiptare, ku respektimi i të drejtave themelore dhe mbrojtja e grupeve vulnerabël konsiderohen pjesë e kritereve që duhet të përmbushen gjatë negociatave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related