Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur shqetësimin e tij për përshkallëzimin e situatës në jug të Libanit, duke deklaruar se “asgjë nuk justifikon” intensifikimin e luftimeve dhe duke kërkuar një armëpushim urgjent.
Në një reagim pas konsultimeve me disa liderë të Lindjes së Mesme, Macron theksoi nevojën për një “heshtje të menjëhershme dhe të përhershme të armëve”, duke paralajmëruar për rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm të rajonit.
Presidenti francez zhvilloi bisedime me përfaqësues të lartë nga Arabia Saudite, Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, ku në fokus të diskutimeve ishte rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe mënyrat për të shmangur një konflikt më të gjerë rajonal.
Macron u ndal gjithashtu te marrëdhëniet mes Shtetet e Bashkuara dhe Irani, duke theksuar se arritja e një marrëveshjeje mes dy vendeve është thelbësore për stabilitetin rajonal. Ai kërkoi hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
Sipas presidentit francez, pas uljes së tensioneve duhet të nisin negociata më të gjera që përfshijnë programin bërthamor dhe raketor të Iranit, si dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë në rajon.
Duke iu referuar zhvillimeve në Liban, Macron njoftoi se me kërkesë të Francës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të zhvillojë një mbledhje urgjente për të diskutuar situatën pas përshkallëzimit të luftimeve dhe avancimit të forcave izraelite në disa zona strategjike.
Presidenti francez theksoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë autoritetet e Libani në përpjekjet për të forcuar sovranitetin shtetëror dhe për të garantuar stabilitetin në të gjithë territorin e vendit.
Ai shtoi gjithashtu se Parisi është i gatshëm të kontribuojë në rikthimin e lëvizjes së sigurt detare ndërkombëtare përmes një misioni shumëkombësh të koordinuar me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
