Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pasditen e së dielës në Tiranë për të protestuar kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura, duke kërkuar më shumë transparencë dhe respektim të legjislacionit mjedisor.
Tubimi nisi fillimisht përpara Ministrisë së Brendshme, ku pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë ekosistemet dhe pasuritë natyrore të vendit.
Pas qëndrimit për disa minuta para Ministrisë së Brendshme, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku vijuan protestën dhe përsëritën thirrjet për ndërprerjen e ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Pjesëmarrësit kërkojnë që institucionet shtetërore të garantojnë mbrojtjen e territorit dhe të respektojnë standardet ligjore në projektet që prekin mjedisin. Ata shprehën shqetësimin se zhvillimet e fundit mund të cenojnë zona me vlera të veçanta natyrore dhe turistike.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa forcat e policisë monitoruan situatën për të garantuar rendin dhe sigurinë. Deri në momentin e raportimit nuk janë shënuar incidente.
Tubimi vjen në një kohë kur debati publik mbi investimet dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura është intensifikuar, duke nxitur reagime nga qytetarë, aktivistë të mjedisit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
