Dosja “Revanshi”, SPAK kërkon 56 vite burg për 5 të pandehurit, mes tyre vëllai dhe kushëriri i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pretencën për një tjetër fraksion të dosjes së njohur si “Revanshi”, duke kërkuar në total 56 vite burg për pesë të pandehur të akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale.

Mes të pandehurve ndodhen edhe Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, përkatësisht vëllai dhe kushëriri i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca.

Sipas kërkesës së SPAK, për ish-efektivin e RENEA-s, Adrian Pikli, kërkohet dënimi me 10 vite e 6 muaj burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 7 vite. Për Edison Muçekun prokuroria kërkon 9 vite burg, që zbresin në 6 vite, ndërsa i njëjti dënim është kërkuar edhe për Elvis Ndrecën.

Për Armando Ndrecën, SPAK ka kërkuar 15 vite burg, që me përfitimin e gjykimit të shkurtuar reduktohen në 10 vite. Ndërkohë, për Deivis Bajramajn janë kërkuar 12 vite burg, të cilat zbresin në 8 vite.

Të pandehurit akuzohen për një sërë veprash penale, mes të cilave pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kultivim të bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve.

Sipas hetimeve të SPAK, më 4 nëntor 2020, në zonën e Urës së Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë kanë tentuar të vrasin Durim Bamin dhe Ervin Kodrën. Po ashtu, hetimet pretendojnë se gjatë vitit 2020 janë organizuar dhe financuar plane të tjera kriminale që kishin si objektiv eliminimin e personave të ndryshëm.

Në dosje thuhet se Armando Ndreca ka organizuar dhe financuar një grup kriminal të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e 243 kilogramëve kanabis në Lezhë, ndërsa Adrian Pikli dhe Deivis Bajramaj dyshohet se kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm në tregtinë e armëve dhe municioneve.

Për Albert Zajën, i konsideruar një nga personat kyç të kësaj çështjeje, procedimi penal është ndarë dhe po shqyrtohet në një proces të veçantë gjyqësor.

Vendimi përfundimtar për të pandehurit pritet të merret nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në seancat e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related