Pas arrestimit të rojes private që dhunoi protestuesin në Zvërnec, kompania ndërpret kontratën me shoqërinë e sigurisë dhe kërkon hetim të plotë të ngjarjes

Data

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar pas arrestimit të rojes private të përfshirë në incidentin e dhunshëm ndaj një protestuesi në Zvërnec, duke njoftuar ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënies kontraktuale me shoqërinë e sigurisë që operonte në zonë.

Në një deklaratë për mediat, kompania sqaroi se firma e sigurisë ishte kontraktuar për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonën e projektit, e cila sipas saj është pronë private dhe administrohej nga një subjekt i licencuar nga institucionet shtetërore.

Megjithatë, pas shqyrtimit të pamjeve të publikuara nga ngjarja, kompania e konsideroi të papranueshme sjelljen e punonjësve të sigurisë dhe vendosi t’i japë fund bashkëpunimit me këtë subjekt.

“Ndërhyrja ndaj një qytetari që ushtronte të drejtën e tij për të protestuar jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij me forcë brenda saj për të ushtruar dhunë është e papranueshme moralisht dhe e dënueshme penalisht,” thuhet në reagim.

Kompania kërkoi ndjesë publike për incidentin dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit sipas ligjit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit bëri të ditur se është arrestuar shtetasi G. B., 32 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për përfshirje direkte në dhunimin e protestuesit. Ndërkohë, nën hetim janë vendosur edhe dy persona të tjerë, me inicialet A. G. dhe G. V., të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në incident.

Paralelisht me hetimet penale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka urdhëruar nisjen e një hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës dhe masat e marra gjatë zhvillimit të saj.

Kompania deklaroi gjithashtu se do të intensifikojë komunikimin me komunitetin lokal dhe se mbetet e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet dhe banorët për të garantuar transparencë mbi projektin që po zhvillohet në zonë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related