Salianji: Berisha duhet t’i nënshtrohet garës dhe përgjegjësisë politike, PD ka nevojë për hapje dhe meritokraci

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar kritikat ndaj drejtimit aktual të opozitës, duke deklaruar se Partia Demokratike duhet të rikthehet te gara, meritokracia dhe përfshirja e gjerë e demokratëve.

Gjatë takimit të zhvilluar me qytetarë në Tiranë, Salianji u shpreh se kryetari i PD-së, Sali Berisha, duhet të përballet me konkurrencën politike dhe të mbajë përgjegjësi për rezultatet e partisë.

“Sali Berisha duhet të përballet me garën, me votën dhe me përgjegjësitë e veta. Partia Demokratike nuk mund të reduktohet. Ndryshimi në Shqipëri mund të vijë vetëm nëse ndryshon edhe PD-ja”, deklaroi ai.

Salianji tha se opozita ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme: të vazhdojë rrugën e tkurrjes politike ose të hapë një kapitull të ri përmes reformimit dhe hapjes ndaj figurave të reja.

Sipas tij, vetëm një PD më e hapur dhe më gjithëpërfshirëse mund të rikthehet si alternativë qeverisëse. Ai kërkoi rikthimin e vlerave tradicionale të së djathtës, si liria individuale, prona private dhe meritokracia.

“Duhet t’i japim fund emërimeve klienteliste. Sot në PD shpesh promovohen të dështuarit, ndërsa ndëshkohen ata që kanë rezultate dhe kontribute”, u shpreh Salianji.

Ish-deputeti theksoi gjithashtu nevojën për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, duke deklaruar se Partia Demokratike duhet të jetë e hapur ndaj çdo qytetari apo grupimi politik që kërkon largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

“Ne besojmë se PD mund të ketë një fytyrë tjetër, përtej berishizmit. Duhet të bashkojmë opozitën, demokratët dhe të gjithë shqiptarët që duan ndryshim. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të madhe, moderne dhe gjithëpërfshirëse”, deklaroi ai.

Salianji bëri të ditur se lëvizja e nisur prej tij do të vazhdojë në të gjithë vendin, duke shtuar se qëllimi mbetet bashkimi i opozitës dhe ndërtimi i një alternative fituese për zgjedhjet e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related