Ben Andoni: Ky duhet të jetë mandati i fundit i Berishës në krye të PD-së, partia nuk po arrin të ngjallë më frymë te shqiptarët

Data

Analisti Ben Andoni ka komentuar zhvillimet më të fundit në skenën politike shqiptare, duke u ndalur te situata brenda Partia Demokratike, ndryshimet statutore që pritet të miratohen dhe sfidat me të cilat përballet opozita.

Gjatë një interviste televizive, Andoni u shpreh se PD-ja ka humbur aftësinë për të krijuar frymë dhe për t’u perceptuar si një alternativë bindëse për qytetarët. Sipas tij, ringritja e partisë duhet të nisë nga baza dhe nga një reformim i thellë i strukturave drejtuese.

“PD nëse nuk kthehet te baza nuk do të vijë në pushtet. Duhet të nisë që nga kupola. Zoti Berisha e humbi këtë mision. Ky organizim nuk bën krijimin e frymës. Logjika është që ky duhet të jetë mandati i fundit i tij në krye të kësaj force politike”, deklaroi Andoni për Sali Berisha.

Analisti vlerësoi se mënyra e komunikimit dhe artikulimit të një pjese të opozitës mbetet e vjetruar dhe nuk arrin të tërheqë elektoratin, duke e cilësuar diskursin aktual si të lodhshëm dhe pa energji mobilizuese.

Duke komentuar situatën në Partia Socialiste, Andoni tha se mazhoranca aktualisht favorizohet nga konteksti gjeopolitik dhe procesi i integrimit europian, por paralajmëroi se sfidat e saj më të mëdha mund të vijnë nga qeverisja vendore.

“PS ka një fat të madh nga situata gjeopolitike dhe mbështetet te procesi i integrimit. Megjithatë, besoj se goditjen më të madhe socialistëve do t’ua japë performanca e kryetarëve të tyre”, u shpreh ai.

Andoni komentoi gjithashtu situatën në Partia e Lirisë pas arrestimit të Ilir Meta, duke theksuar se protestat nuk prodhojnë domosdoshmërisht rezultat politik dhe se e ardhmja e kësaj force politike do të varet nga aftësia për t’u riorganizuar dhe për të ruajtur mbështetjen elektorale.

Sipas analistit, zhvillimet e ardhshme brenda opozitës do të jenë vendimtare për konfigurimin e skenës politike shqiptare në vitet që vijnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related