Tensione janë regjistruar këtë të premte në ambientet e Bashkisë së Sarandës, ku pronarët e mjeteve ujore që operojnë në Ksamil protestuan kundër planit për vendosjen e katër vendbazimeve të reja për sezonin turistik.
Protesta u zhvillua paralelisht me mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandë, ku po diskutohej miratimi i hartës së vendbazimeve për mjetet ujore në territorin e bashkisë. Situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish tentoi të hynte në sallën e mbledhjes, duke kërkuar një takim të drejtpërdrejtë me drejtuesit vendorë.
Sipas operatorëve turistikë, dy prej vendbazimeve të propozuara janë të papërshtatshme për ushtrimin e aktivitetit, pasi ndodhen në skaje të zonës së Ksamil dhe nuk i përgjigjen nevojave të biznesit.
Përfaqësuesit e tyre kërkuan që vendndodhjet të rishikohen dhe të zgjidhen pika më funksionale për hyrje-daljen e mjeteve ujore gjatë sezonit veror.
Nga ana tjetër, përfaqësues të bashkisë deklaruan se përpara hartimit të propozimit janë zhvilluar konsultime me grupet e interesit dhe institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, zgjidhja me katër vendbazime përfaqëson një kompromis mes kërkesave të operatorëve dhe rekomandimeve të autoriteteve të sigurisë.
Edhe përfaqësues të policisë të pranishëm në mbledhje theksuan se prioritet mbetet siguria e pushuesve dhe përdoruesve të plazheve. Ata argumentuan se reduktimi i korridoreve të lëvizjes dhe organizimi më i kontrolluar i trafikut detar ndihmon në shmangien e incidenteve gjatë sezonit turistik.
Debati mes operatorëve të mjeteve ujore dhe institucioneve vendore mbetet i hapur, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë diskutime të tjera për të gjetur një zgjidhje që garanton njëkohësisht sigurinë dhe funksionimin normal të aktivitetit turistik në Ksamil.
