Medvedev paralajmëron Europën pas incidentit në Rumani: “Ky është vetëm fillimi”, tensionet mes NATO-s dhe Rusisë thellohen

Data

Ish-presidenti rus dhe nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka lëshuar deklarata të forta pas incidentit në qytetin rumun Galați, ku një dron goditi një pallat banimi, duke plagosur dy persona dhe duke shkaktuar tensione të reja mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s.

Në reagimin e tij, Medvedev akuzoi vendet europiane se janë pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës për shkak të mbështetjes së tyre ushtarake dhe politike ndaj Kievit.

“Duhet të kuptojmë se droni i kujt ra mbi një shtëpi në Rumani, por vendet e Bashkimit Europian do të bënin më mirë të mendonin për rolin e tyre në këtë konflikt. Ky është vetëm fillimi”, deklaroi ai.

Sipas Medvedevit, qytetarët e vendeve europiane nuk mund të ndihen plotësisht të sigurt për sa kohë që qeveritë e tyre mbështesin Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Ai paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet më tej, duke përmendur veçanërisht vendet ku prodhohen dronë dhe pajisje ushtarake për nevojat e forcave ukrainase.

Ndërkohë, reagimi i Moskës erdhi pas vendimit të presidentit rumun Nicușor Dan për të mbyllur Konsullatën Ruse në Konstancë dhe për të shpallur “persona non grata” konsullin rus Andrei Kosylin.

Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi se Moska do të përgjigjet me masa diplomatike ndaj Bukureshtit.

Incidenti në Galați ka rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të NATO-s, ndërsa autoritetet rumune dhe aleatët perëndimorë po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe rrethanat e sakta të dronit që goditi territorin rumun.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related