SHBA synon drejtimin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje, për herë të parë një amerikan mund të zëvendësojë Christian Schmidt

Data

Për herë të parë që nga krijimi i saj pas Marrëveshjes së Dejtonit, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë mund të drejtohet nga një diplomat amerikan.

Sipas raportimeve të medias boshnjake Klix.ba, çështja do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), më 3 dhe 4 qershor, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të paraqesin kandidatin e tyre për postin e Përfaqësuesit të Lartë.

Nëse kandidatura amerikane merr mbështetjen e vendeve anëtare, do të thyhej tradita shumëvjeçare sipas së cilës drejtimi i OHR-së i është besuar diplomatëve europianë, ndërsa posti i zëvendësit është mbajtur zakonisht nga përfaqësues amerikanë.

Aktualisht, detyrën e Përfaqësuesit të Lartë e ushtron Christian Schmidt, ndërsa zëvendësi i tij është amerikani Louis Crishock.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se kandidati i mbështetur nga SHBA mund të jetë William Ruger, një zyrtar i lartë në administratën e presidentit Donald Trump. Megjithatë, në qarqet diplomatike po qarkullon edhe emri i diplomatit italian Antonio Zanardi Landi si një figurë kompromisi mes SHBA-së dhe vendeve europiane.

Debati për pasardhësin e Schmidtit lidhet ngushtë me të ardhmen politike të Bosnjës dhe sfidat që vijnë nga retorika separatiste e liderit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, i cili ka vënë vazhdimisht në diskutim integritetin territorial të vendit.

Ish-ambasadori amerikan në Bosnje, Michael Murphy, paralajmëroi se vendimi që do të merret nga PIC do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin dhe të ardhmen e Bosnjës. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet të përcaktojë qartë nëse OHR mbetet instrumenti i duhur për mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe integritetit territorial të vendit.

Murphy theksoi se mbështetja ndërkombëtare për Bosnjën nuk mund të mbështetet vetëm te procesi i integrimit europian, duke paralajmëruar se tensionet etnike dhe kërkesat për riorganizime territoriale vazhdojnë të paraqesin rrezik për stabilitetin e shtetit ballkanik.

Mbledhja e ardhshme e PIC pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e OHR-së dhe për rolin që komuniteti ndërkombëtar do të luajë në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë viteve në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related