SPAK çon në gjyq tre ish-policë, zbulohet roli i Kristi Qiricit dhe Eldjon Alushajt në grupin kriminal të trafikut të drogës në Sarandë

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës policie, të akuzuar për lidhje me grupe të strukturuara kriminale të përfshira në trafikun dhe kultivimin e lëndëve narkotike.

Sipas hetimeve, në krye të grupit kriminal që operonte në zonën e Sarandës gjatë viteve 2019-2021 qëndronin Kristi Qirici dhe Eldjon Alushaj. Qirici është vëllai i Edmond Papa, i cili u vra në dhjetor të vitit 2022. Ai u arrestua pak ditë më parë në Abu Dhabi dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike drejt vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht përmes rrugëve që lidhin jugun e Shqipërisë me Greqinë.

SPAK ka dokumentuar një rast të trafikimit të mbi 1.1 ton kanabis në mars të vitit 2020, sasi e sekuestruar nga autoritetet greke dhe me një vlerë të përllogaritur prej rreth 1.7 milionë eurosh.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se grupi përfitonte informacione konfidenciale nga ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Erdit Hazizaj, i cili në atë kohë shërbente si specialist në Forcën Operacionale. Sipas SPAK-ut, Hazizaj informonte drejtuesit e grupit për lëvizjet e strukturave ligjzbatuese dhe i ndihmonte ata të shmangnin goditjet policore.

Përveç Hazizajt, për gjykim janë dërguar edhe ish-punonjësit e policisë Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim me grupet kriminale që vepronin në jug të vendit.

Sipas organit të akuzës, veprimet e tyre kanë cenuar rëndë funksionimin e Policisë së Shtetit dhe kanë favorizuar zhvillimin e aktivitetit kriminal të grupeve të përfshira në trafikun e drogës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related