Qeveria e Kosovë do të zbatojë nga 1 qershori programin “Mbështetja e Konektivitetit për sezonin veror 2026”, i cili parashikon subvencionimin e kompanive ajrore që transportojnë mërgimtarë drejt vendit gjatë sezonit të verës.
Sipas dokumenteve të publikuara nga mediat kosovare, mbështetja financiare do të variojë nga 3 deri në 6 euro për çdo pasagjer, në varësi të kritereve të performancës që do të përmbushin operatorët ajrorë.
Programi përfshin linjat që lidhin Kosovën me vendet ku jeton një pjesë e konsiderueshme e diasporës shqiptare, përfshirë Zvicër, Gjermani, Austri, Belgjikë, Francë, Suedi, Finlandë, Norvegji, Danimarkë dhe Turqi.
Për të përfituar nga skema, kompanitë duhet të paraqesin paraprakisht planin e fluturimeve në Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Vlerësimi përfundimtar i performancës do të bëhet pas përfundimit të sezonit veror, më 24 tetor.
Skema përfshin tre nivele mbështetjeje:
- 3 euro për pasagjer për kompanitë që realizojnë të paktën 85% të fluturimeve të planifikuara.
- 6 euro për pasagjer shtesë për fluturimet e shtuara mbi planin fillestar, me kusht që të paktën 80% e vendeve në avion të jenë të zëna.
- Mbështetje financiare edhe për kompanitë që hapin linja të reja drejt Kosovës, duke plotësuar të njëjtin kriter minimal të mbushjes së avionëve.
Sipas autoriteteve kosovare, qëllimi i programit është forcimi i lidhjeve ajrore me tregjet europiane dhe përmirësimi i aksesit të diasporës gjatë periudhës së verës, kur kërkesa për udhëtime rritet ndjeshëm.
Vendimi është miratuar pak para nisjes së fushatës zgjedhore në vend dhe ka shkaktuar debate politike. Opozita ka ngritur dyshime se masa mund të ketë ndikim elektoral, ndërsa Albin Kurti ka deklaruar se subvencionimi synon ruajtjen e stabilitetit të trafikut ajror dhe mbështetjen e lidhjeve të Kosovës me diasporën.
