Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, ka njoftuar zhvillimin e një takimi me demokratët në Tiranë, në kuadër të nismës së tij “Lëvizje për një PD fituese”.
Takimi do të mbahet ditën e premte, më 29 maj, në orën 18:00, tek Universiteti i Arteve në Sheshin “Nënë Tereza”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji publikoi edhe një video nga takimet e mëparshme me mbështetësit demokratë në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa ftoi qytetarët të bëhen pjesë e tubimit në kryeqytet.
“Shihemi nesër tek Akademia e Arteve, Sheshi ‘Nënë Tereza’ me lëvizjen për një PD FITUESE”, shkroi ai.
Nisma e Salianjit po prezantohet me moton “Lëvizje për një PD fituese”, ndërsa ish-deputeti ka zhvilluar gjatë javëve të fundit takime me demokratë në disa qytete të vendit.
Salianji konsiderohej si një nga emrat që mund të kandidonte në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike më 23 maj, por kandidatura e tij nuk u pranua nga strukturat drejtuese të partisë.
Takimet e tij janë interpretuar si një përpjekje për të mobilizuar mbështetësit kritikë ndaj drejtimit aktual të PD-së nga Sali Berisha dhe për të promovuar një alternativë të re brenda opozitës.
