Analisti Genc Burimi ka komentuar zhvillimet e fundit në procesin e negociatave të Shqipëri me Bashkimi Europian, duke u ndalur te Konferenca e 8-të Ndërqeveritare dhe raporti i IBAR-it.
Gjatë një interviste televizive, Burimi theksoi se nuk është miratuar përfundimisht IBAR-i, por vetëm etapa e ndërmjetme e procesit.
Sipas tij, ky zhvillim i ka dhënë një avantazh politik kryeministrit Edi Rama, pa pasur, sipas analistit, rezultate konkrete në çështje sensitive si dosja “Balluku” apo problematikat zgjedhore.
“Është miratuar etapa e ndërmjetme, jo IBAR. Deri më sot qeveria Rama nuk dha asnjë shenjë. IBAR është i vetmi kapitull që ka dy miratime, një të ndërmjetëm për të parë nëse je në rrugë të mirë dhe më pas rikthehen sërish për të parë nëse janë përmbyllur. Shqipëria mund të themi se është në mesin e ndeshjes”, u shpreh Burimi.
Ai shtoi se në Konferencën Ndërqeveritare europianët nuk ushtruan presion të mjaftueshëm ndaj qeverisë shqiptare.
“Habiem për europianët që u mposhtën kaq kollaj. Nuk i kërkuan të paktën një lëshim te dosja Balluku apo dosja e zgjedhjeve. Rama nuk bëri asnjë lëshim nga 12 marsi deri më 26 maj”, deklaroi analisti.
Sipas Burimit, Shqipëria mori një avantazh politik që nuk e meritonte plotësisht në këtë fazë të negociatave, megjithatë ai theksoi se vendi do t’i nënshtrohet sërish një vlerësimi përfundimtar nga institucionet europiane.
“Shqipërisë iu dha një gol që nuk e meriton, por me këtë apo pa këtë IBAR të ndërmjetëm, Shqipëria do t’i nënshtrohet miratimit përfundimtar”, përfundoi ai.
