Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, është shprehur kritik ndaj reformës territoriale të vitit 2014, duke deklaruar se ajo ka dështuar dhe se rrezikon të përshpejtojë shpopullimin e vendit.
Në një intervistë televizive, deputeti demokrat tha se komisioni po zhvillon dëgjesa në disa qarqe të Shqipërisë për të mbledhur shqetësimet dhe propozimet e qytetarëve lidhur me organizimin territorial.
Sipas Luçiano Boçi, shumë komunitete po kërkojnë rikthimin e bashkive të tyre për shkak të mungesës së shërbimeve pas ndarjes së re administrative.
“Qytetarët kërkojnë të krijojnë bashkitë e tyre dhe t’u ofrohen shërbimet. Nëse ndodh shkrirja e bashkive, rrezikohen shërbimet dhe qytetarët do të largohen”, deklaroi ai.
Boçi iu referua edhe qëndrimit të kryebashkiakut të Poliçanit, Zotkaj, të cilin e cilësoi si një zë kritik të ardhur nga vetë mazhoranca.
“Ka qenë i ashpër zoti Zotkaj. Ka shprehur shumë të vërteta dhe ka kërkuar që Poliçani të qëndrojë si bashki më vete”, tha deputeti demokrat.
Sipas tij, reforma territoriale nuk lidhet vetëm me hartën administrative, por edhe me mënyrën e administrimit dhe financimit të pushtetit vendor. Ai kërkoi më shumë kompetenca dhe mbështetje financiare për njësitë lokale.
Luçiano Boçi foli edhe për procesin e integrimit europian, duke theksuar se opozita mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian, por sipas tij, vonesat lidhen me korrupsionin qeveritar.
Deputeti demokrat komentoi edhe tensionet e ndodhura më herët gjatë mbledhjes së Komisionit të Reformës Territoriale me bashkëkryetarin socialist Arbjan Mazniku, duke i cilësuar ato si “përplasje vizionesh”.
“Ka një nervozizëm nga ana e mazhorancës, pasi nuk i konvenojnë pyetjet që vijnë nga opozita”, u shpreh ai.
