Seanca e radhës në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj Laert Haxhiu është shtyrë për në datën 3 qershor, për shkak të mungesës së dy avokatëve mbrojtës.
Në këtë seancë pritej të dëshmonin personazhi i TikTok-ut Kleviol Ahmeti, i njohur si “Clevio”, dhe reperi Noizy, në lidhje me episodin e vendosjes së tritolit në biznesin e këtij të fundit në Durrës.
Sipas raportimeve, Kleviol Ahmeti ka kërkuar që të paraqitet për dëshmi më 10 qershor, duke argumentuar angazhime personale.
Të dy janë pjesë e listës prej rreth 60 dëshmitarësh të thirrur nga mbrojtja e Laert Haxhiu, i cili po gjykohet si drejtues i një grupi kriminal të akuzuar për 14 krime të rënda, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Sipas SPAK dhe dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, tritoli në biznesin e Noizy ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiu, si hakmarrje për dhunimin e shokut të tij, Kleviol Ahmeti, nga persona të afërt me reperin.
Ngjarja ndodhi në qershor të vitit 2022, kur rreth 100 gramë lëndë plasëse shpërthyen në lokalin dhe dyqanin e veshjeve të Noizy në zonën bregdetare të Durrësit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
