Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, komentoi Konferencën e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimi Europian, duke deklaruar se raporti IBAR evidenton problematika serioze që lidhen me demokracinë, korrupsionin dhe proceset zgjedhore në vend.
I ftuar në një emision televiziv, Bumçi u shpreh se debati mbi miratimin formal të raportit nuk është thelbësor, por rëndësi ka përmbajtja e tij dhe problematikat që adreson.
“Kjo është pjesë e manipulimit që bëhet duke u marrë me faktin nëse është miratuar IBAR apo jo. Kur çështjet janë të vështira, BE nuk merr vendime të menjëhershme. Shqipëria ka plotësuar kushtet më të lehta, por ka ende detyra të rënda shtëpie”, deklaroi ai.
Sipas Aldo Bumçi, raporti ngre shqetësime për funksionimin e shtetit ligjor dhe standardet demokratike në vend.
“Te themelet nuk mund të ketë kompromis. Nëse nuk funksionojnë demokracia, institucionet dhe zgjedhjet e lira, vendi nuk bëhet pjesë e BE-së”, u shpreh ish-ministri.
Ai theksoi se raporti IBAR kërkon zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, ndërsa evidenton përdorimin e administratës shtetërore dhe të burimeve publike gjatë fushatave elektorale.
Bumçi shtoi se raporti trajton edhe çështje që lidhen me funksionimin e Parlamentit, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, imunitetin e zyrtarëve të lartë, si dhe korrupsionin në administratën qendrore dhe vendore.
Sipas tij, dokumenti evidenton gjithashtu problematika në prokurimet publike, pastrimin e parave, tatimet dhe doganat.
“Nuk është anëtarësuar asnjë vend në BE me kushtet që ka sot Shqipëria”, përfundoi Aldo Bumçi.
