Avokatja dhe ish-kandidatja e Partia Demokratike, Alesia Balliu, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në selinë blu dhe rizgjedhjes së Sali Berisha në krye të partisë.
Përmes një reagimi publik, Balliu akuzon familjen Berisha se po përdor Partinë Demokratike për interesa personale dhe ekonomike, ndërsa kritikon mënyrën sesi po drejtohet opozita shqiptare.
“Sali, i vetmi i përdalë politik në PD e ka emrin Shkëlzen Berisha. I vetmi që po pasurohet nga qëndrimi në opozitë i PD-së është djali yt. Prandaj po e shkatërron PD-në dhe të ardhmen e saj, sepse demokratët varfërohen, ndërsa fëmijët e tu pasurohen”, shprehet Balliu në reagimin e saj.
Më tej, ajo bën edhe një krahasim të fortë politik me ish-regjimin komunist, duke deklaruar se ish-udhëheqësit komunistë do të ndiheshin krenarë për situatën aktuale në Partinë Demokratike.
“Enver Hoxha dhe Ramiz Alia do të ndiheshin krenarë kur shohin rizgjedhjen tënde në krye të PD-së, sepse plani për të shkatërruar të djathtën vazhdon”, deklaron ajo.
Në fund të reagimit të saj, Alesia Balliu i drejtohet drejtpërdrejt Shkëlzen Berisha, duke paralajmëruar përballje të vazhdueshme politike.
“Tani po i drejtohem Shkëlzenit, sepse ti je kthyer në një dordolec politik. Shkëlzen, përballë do të na kesh çdo ditë, sepse demokratët dhe Shqipëria nuk mund të trajtohen si biznes familjar”, përfundon reagimi i saj.
