Aktivistja dhe juristja Adriana Kalaja ka bërë të ditur se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka pranuar ankimin e saj kundër vendimit të Prokurorisë për mosfillimin e një kallëzimi penal lidhur me kërcënime që pretendon se ka marrë në rrjetet sociale.
Në një reagim publik, Kalaja shpjegon se më 19 shkurt 2026 kishte marrë mesazhe kërcënuese për jetën në inbox-in e saj në Facebook dhe se një ditë më pas kishte bërë kallëzim penal.
Sipas saj, çështja iu përcoll Prokurorisë më 24 shkurt, por organi i akuzës vendosi mosfillimin e procedimit penal pa kryer hetime dhe pa kërkuar informacion nga sektori i krimeve kibernetike.
Kalaja pretendon se dyshimet e saj lidhen me një person që ajo e identifikon publikisht si “Irena me shumë mbiemra, datëlindje dhe pasaporta”, ndërsa sugjeron se pas mosfillimit të çështjes ka pasur ndërhyrje politike.
Juristja sqaron se e ankimoi vendimin duke u mbështetur në dy argumente kryesore: tejkalimin e afatit ligjor 15-ditor për vendimin e mosfillimit dhe mungesën e veprimeve hetimore për identifikimin e autorit të kërcënimeve.
Sipas saj, gjykata i ka dhënë të drejtë, duke shfuqizuar vendimin e Prokurorisë dhe duke pranuar interpretimin e saj mbi afatin procedural të parashikuar në nenin 291 të Kodit të Procedurës Penale.
Në reagimin e saj, Adriana Kalaja sulmon ashpër sistemin e drejtësisë, duke përmendur edhe çështje të tjera që lidhen me kallëzime ndaj figurave politike, ndërsa akuzon magjistratë të caktuar për vendimmarrje të ndikuar politikisht.
Në fund të reagimit, ajo paralajmëron denoncime të tjera publike dhe ligjore, duke shkruar: “Kush e ka radhën? Më ndiqni…”.
