Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave të Reporterët Pa Kufij mbi situatën e medias në Shqipëri, duke publikuar të dhëna që sipas tij rrëzojnë tezën e një “mjedisi mediatik të kapur”.
Në një postim në rrjetin social X, Rama deklaroi se po udhëton drejt Brukselit për Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ndërsa theksoi se liria e medias mbetet pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit europian.
Sipas kryeministrit, një analizë e realizuar përmes një modeli të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga një startup shqiptar ka monitoruar 106,962 artikuj në 47 media përgjatë 120 ditëve.
Rama tha se rezultatet tregojnë se:
- zëri i opozitës përbën 68.2% të hapësirës mediatike,
- ndërsa dukshmëria e qeverisë arrin në 31.8%.
Ai shtoi se edhe në mediat që konsiderohen tradicionalisht pranë qeverisë, opozita ka më shumë hapësirë mediatike sesa vetë qeveria.
“Këto nuk janë perceptime, por fakte të matshme të nxjerra nga më shumë se 106 mijë artikuj”, shkroi Rama.
Kryeministri argumentoi gjithashtu se kritikat ndaj qeverisë janë pothuajse pesë herë më të larta se mbulimi pozitiv, duke theksuar se kjo nuk përputhet me profilin e një vendi ku media kontrollohet nga pushteti.
Në reagimin e tij, Rama u shpreh se Shqipëria do të vijojë bashkëpunimin me Bashkimi Evropian për përmirësimin e standardeve mediatike, por shtoi se debati mbi “mediat e kapura” duhet të mbështetet mbi analiza empirike dhe jo vetëm mbi perceptime politike.
