Hetimet për skandalin e tenderave në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po thellohen, ndërsa prokurorët e SPAK kanë marrë në pyetje disa prej personave kyç të dosjes.
Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, qëndroi për rreth 3 orë e 45 minuta në ambientet e SPAK, ku u pyet lidhur me hetimet për dyshime mbi shkelje të barazisë në tendera dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Karçanaj u paraqit e shoqëruar nga avokatja e saj dhe nuk dha deklarata për mediat pas daljes nga prokuroria. Ndaj saj, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën “detyrim paraqitje”.
Në kuadër të të njëjtës dosje, në SPAK është paraqitur edhe zëvendëskryetari i Komisioni i Prokurimeve Publike, Kreshnik Tërnova.
Sipas hetimeve, biznesmeni Gerond Meçe ka deklaruar se është marrë peng për t’u detyruar të tërhiqej nga ankimimet për disa tendera ku fituese rezultonin kompani të lidhura me biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Në dëshminë e tij, Meçe ka pretenduar se personat që e mbanin peng kishin informacion në kohë reale mbi tërheqjen e ankimimeve në sistemin e KPP-së dhe se për këtë nevojitej mbështetje nga brenda institucionit. Sipas dosjes hetimore, emri i përmendur është ai i Kreshnik Tërnovës, i cili dyshohet për lidhje me biznesmenin Ermal Beqiri.
Prokuroria thotë se ekzistojnë dyshime se procedurat e ankimimit janë trajtuar me shpejtësi të pazakontë dhe në koordinim me grupin kriminal.
Sipas SPAK, kërkesat për tërheqje nga ankimimet janë reflektuar në sistem vetëm pak minuta pasi administratorët e kompanisë janë kontaktuar nga personat që ushtronin presion ndaj tyre.
Hetuesit dyshojnë se brenda Komisioni i Prokurimeve Publike ka pasur bashkëpunim të drejtpërdrejtë me grupin e përfshirë në manipulimin e tenderave të AKSHI-t.
